Bashkia Poliçan

en_US
en
off
Mobile View
Desktop View
 

Bashkia Polican @2017

Historiku
1038

HISTORIKU I KRIJIMIT TË QYTETIT TË POLIÇANIT

Poliçani, një qytet i vogël punëtorë dhe industrial, por me një ndërthurje harmonike të vlerave natyrore me trashëgiminë material – shpirtërore të popullsisë. Natyra e larmishme, format e veçanta të relievit, klima e shëndetshme, ajri i pastër malor dhe bota e larmishme bimore nga shkurret mesdhetare, deri te drurët, pishat e pyjet që të dehin me aromën e këndshme.

Qyteti i Poliçanit shtrihet në pjesën jugore të Republikës së Shqipërisë dhe bënë pjesë në rrethin e Skraparit. Së bashku me bashkitë: Çorovodë, Kuçovë, Berat dhe Ura-Vajgurore, formojnë Qarkun Berat. Kufizohet me komunat Bogovë, Vëndreshë dhe Vërtop.
Sipërfaqja e përgjithshme e qytetit të Poliçanit është 600 ha. Nga këto, 58 ha është zonë urbane, kurse pjesa tjetër është e ndarë në pyje e toka bujqësore dhe 59 ha është sipërfaqa e kombinatit mekanik Poliçan. Rruget zënë një hapësire prej 6.2 ha të cilat kanë një gjatësi përgjithëshme prej 12 km, nga të cilat 2 km janë rrugë të asfaltuara dhe 8 km rrugë të paasfaltuara. Numri dhe përbërja e popullsisë së qytetit ka ndryshuar çdo vit, lidhur dhe me historikun e ndërtimit dhe krijimit të qytetit të Poliçanit.

​Lindja e qytetit të Poliçanit ka mbetur e fiksuar në kujtesën e banorëve vendas, si qyteti që zbuti pasojat e krizës ekonomike të zonës dhe ushtroj ndikim të ndjeshëm në përmirësimin e gjendjes materiale dhe rritjen e nivelit të jetesës së saj.
Poliçani ka qene një fshatë i vogël për t’u transformuar më vonë në një qytet industrial. Në vitin 1961-1966 u kthye në një kantier ndërtimi, me objektiv ngritjen e Uzinës Mekanike për prodhime ushtarake, që më vonë do të formonte Kombinatin Mekanik Ushtarak, i cili ndodhet në pjesën jugore të qytetit.
Me fillimin e prodhimeve ushtarake, thithjen e një fuqie punëtore të konsiderueshme nga disa rrethe të vendit, në vitin 1966-1967 u konsolidua qyteti i Poliçanit me një bazë të fuqishme të industrisë mekanike dhe asaj ushtarake.

​Ndërtimi i uzinës është nga të parat vepra ku u bë një punë e paimagjinueshme jo vetëm fizike por edhe shkencore. Uzina Mekanike u shndërrua në një shkollë për mësimin dhe përgatitjen e specialistëve dhe mjeshtërve të rrallë. Kjo uzinë “prodhoi” njerëz praktik dhe dinjitoz, me një disiplinë të rreptë dhe korrektësi në punë. Pati një rritje progresive të popullsisë si rrjedhojë e imigrimit të qytetarëve nga qytete e troje të ndryshme të Shqipërisë. Në këtë mënyrë u konsolidua qyteti industrial i Poliçanit, në funksion të politikës së shtetit komunist për zhvillimin e industrisë ushtarake, prodhimin dhe mirëmbajtjen e municioneve. Mirënjohja dhe respekti ynë sot, shkon për të gjithë ata inxhinier mendjendritur dhe punëtorë duarartë, të cilat u sakrifikuan deri në vetëflijim, për ndërtimin e këtij kombinati.

Rritja progresive e popullsisë i dha një pamje arkitekturore qytetit, pasi u ndërtuan objekte banimi 4-5 kate, infrastruktura për administratën publike, u çel një shkollë e mesme e përgjithshme, dy shkolla të arsimit 8-vjeçar, një qendër kulturore dhe shëndetësore, një bibliotekë në ndihmë të edukimit qytetar dhe arsimimit të brezave. Në funksion të kësaj, vlen për t’u përmendur dhe nisma e Bashkisë së Poliçanit për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve të ngujuar të zonave të veriut.
Banorët e Poliçanit dhe administrata vendore kanë manifestuar vlera të mëdha humane, duke goditur efektet dhe pasojat e dëmshme të fenomenit të gjakmarrjes, duke ndihmuar në arsimimin dhe integrimin e fëmijëve të ngujuar, në shkollë dhe shoqërinë civile. Aktualisht në qytetin e Poliçanit ndodhet një qendër rezidenciale e përkujdesit të moshës së tretë.

Pamje nga ndërtimi i Poliçanit. Foto e vitit 1973

Pamje e qytetit të Poliçanit sot.