Bashkia Poliçan

en_US
en
off
Mobile View
Desktop View
 

Bashkia Polican @2017

Turizmi
2177

Turizmi, sa i thjeshtë në përkufizim po aq i komplikuar në politika zbatuese sepse në të intersektohet mjedisi, zhvillimin ekonomik, shërbimet, tregtia, transporti, rendi, qetësia publike, ndërtimet si dhe ruajtjen e vlerave të trashëgimisë.

Në katër vitet e ardhshme, TURIZMI DO JETË NJË NDËR PRIORITETET THEMELORE TË BASHKISË

Objektivi ynë do jetë që cdo turist që kalon për te kanionet e Osumit, të qëndrojë edhe në Poliçan, dhe cdo turist që vjen në Polican të shkojë edhe tek kanionet. 

Shtyllat e turizmit do të jenë:

  •  mali i Tomorit
  • dhe krijimi i një resorti historiko-turistik, duke pasur në fokus aktivitetin e dikurshëm të Kombinatit Mekanik Poliçan, për ta risjellë këtë dëshmi nëpërmjet artit dhe turizmit.

​​

Mali i Tomorit

“Baba Tomori” njihet jo vetëm në Shqipëri por dhe jashtë kufijve të saj, sepse në të prehen eshtrat e Udhëheqësit Shpirtëror të Bektashizmit, “ABAS ALIUT”. Besojmë se nuk ka frekuentim më intensiv se ai që i bëhet këtij mali në periudhën 20-25 gusht të çdo viti, nga pelegrin shqiptarë dhe të huaj, në nderim të kujtimit të ABAS ALIUT.

Por Mali i Tomorit sipas projekteve që ka parashikuar Bashkia, mund dhe do të shndërrohet edhe në një teren klimaterik-sportiv. Gjatë dimrit trashësia e dëborës shkon në 2-3 m dhe një pjesë e saj në shumë vende i reziston dhe të nxehtit të Korrikut dhe të Gushtit.

Resorti historiko-turistik

​Por përveç malit të Tomorit, bashkia ka projektuar dhe një komponent të dytë që mund ta bëjë të frekuentueshëm qytetin tonë nga shqiptarë dhe të huaj. Sikundër e kemi përmendur në Poliçan vazhdon pjesërisht punën Kombinati Mekanik Ushtarak. Një pjesë e tij do të propozohet të kthehet në qendër turistiko-historike.


Një parantezë e kësaj projekt-ideje, vjen për të ngacmuar imagjinatën e çdo qytetari të Poliçanit dhe pse jo të çdo lexuesi të këtij buletini, duke sjellë një pjesë të saj në përmbledhjen më poshtë:

Projekt ide:

Qyteti i paranojës në Rilindje
“Resorti historiko-turistik i Poliçanit”
(TEMAT E REFERENCËS PËR STUDIMIN E FIZIBILITETIT)


Sfondi historik: Poliçani një zonë në rrethin e Skraparit, në gjithë Shqipërinë, mbahet në kujtesë, veç të tjerash, edhe për Kombinatin Ushtarak të Poliçanit, një kompleks modern i kohës që prodhonte municione ushtarake dhe pajisje të tjera me një teknologji të lartë e me makineri e pajisje nga më të sofistikuarat e këtij sektori të industrisë mekanike. I shtrirë në një sipërfaqe prej rreth 800 000 m2, përbëhej nga 60 objekte mbi tokë me një sipërfaqe ndërtimore prej 65 000 m2 , dhe objektet nen tokë kane një sipërfaqe ndërtimore prej 10 000 m2, si dhe dy tunele ku ishin instaluar makineritë dhe pajisjet specifike më moderne.

Aktualisht situata është e tille: 12 reparte janë në gjendje pune nga të cilat: 12 objekte janë në punë, gjashte janë objekte në gjendje të mirë ndërtimore dhe të gjitha objekte e tjera janë plotësisht ose pjesërisht të shkatërruara, dy prej të cilave ish- kaldaja për prodhimin e avullit.

Qëllimi i studimit: Me gjithë shkatërrimin (që vazhdon nga dita në ditë, ndonëse është në juridiksionin e Ministrisë së Mbrojtjes), ky objekt mendojmë se ka vlera historike dhe mund të kthehet në një resort historiko-turistik për Poliçanin.
Nëpërmjet punimeve restauruese dhe adaptimit të godinave ekzistuese në hoteleri (godinat nga jashtë do lihen në gjendjen ekzistuese për ndryshime në fasade, me përjashtim të riparimeve termo-hidroizoluese), kurse ambienti brenda për hoteleri do të jetë i nivelit 3-4 yje.

Punime të rëndësishme do të bëhen brenda territorit të kombinatit, me rikonstruksion të plotë të rrugëve të qarkullimit, ambiente të gjelbëruara, ambiente shërbimi dhe ndriçimi dekorativ dhe ai social.

Parashikohet që njëri prej tuneleve (ai i prodhimit të fishekëve 12.7 mm, të mund të rigjenerohet për tu rivënë në punë për të demonstruar teknologjinë e kohës, por pa mbushje (baruti) dhe ndezës (kapsollat).

Është menduar që të instalohet dhe një teleferik i vogël për ngjitje-zbritje nga hoteleria në pyllin që është mbi qytet dhe anasjelltas, si dhe rikonstruksioni i plotë i rrugës perimetrale të pyllit me gjatësi 3-3.5 km.

Ky objekt do të lidhet në guidë dhe me Tyrben e Varrit te Abas Aliut, udhëheqësi shpirtëror i bektashizmit botëror, i cili ndodhet në një vend tepër turistik në afërsi të malit të Tomorit.

Jashtë territorit të Kombinatit dhe në afërsi te tij ka shumë fermerë lokalë që prodhojnë perime dhe bulmet pothuajse bio, fruta të kërkuara si shegë, fiq, rrush, arra etj., të cilat do të jenë “lënda e parë” e furnizimit të hotelerisë. Për këtë qëllim…

Faks mile e projekt idesë të resortit historiko-turistik në afërsi të qytetit të Poliçanit

Projekti parashikon edhe lidhjen me teleferik midis zonës së resortit dhe pyllit mbi qytetin e Poliçanit. Pas studimit të fizibilitetit që do të financohet nga Bashkia Poliçan, projekti do të aplikohet për implementim në donatorë të ndryshëm dhe organizma ndërkombëtare.